Skip to content
Kryesore

Shqipëria e pesta për normën e ulët të regjistrimit në shkollë

· 2 min lexim

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që përkujton Kongresin e Manastirit të vitit 1908, u shpall festë zyrtare në Shqipëri.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë propozimit të këtij ndryshimi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike si moment unifikues për shqiptarët.

Megjithatë, 116 vite pas kësaj arritjeje madhore, Shqipëria përballet me sfidën e rënies së ndjeshme të regjistrimeve në arsimin fillor, duke rrezikuar rritjen e analfabetizmit.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se norma bruto e regjistrimit në shkollat fillore ra në 93.7% në vitin 2023, nga 105.4% në vitin 2017, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 1976. Shqipëria renditet e pesta për normën më të ulët të regjistrimit në arsimin fillor në Europë, pas Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës, Ukrainës dhe Maltës.

Kjo rënie shqetësuese lidhet me faktorë si emigrimi, që prek sidomos fëmijët në arsimin e detyruar, dhe përkeqësimi i treguesve të shkollimit te vajzat.

Një tjetër shqetësim është përkeqësimi i cilësisë së mësimdhënies, siç treguan rezultatet e dobëta të Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në uljen e nivelit të përgjithshëm të shkollimit, rritjen e analfabetizmit, dhe përkeqësimin e pabarazive mes zonave urbane dhe rurale. Arsimi, si bazë e zhvillimit të çdo kombi, mbetet një sfidë kritike për Shqipërinë./Monitor