Shiste sekrete hetimore organizatës kriminale shqiptare të drogës në Itali/ GJKKO dënon ish-oficerin Igli Haxhiaj

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor ish-oficerin e Policisë së Shtetit, Igli Haxhiaj, duke e dënuar me 4 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burgim. GJKKO vendosi gjithashtu që Haxhiaj të mos ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Haxhiaj, i arrestuar nga Prokuroria e Posaçme në nëntor të vitit 2025, u gjet fajtor për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar pasi pranoi aktet e dosjes dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Çështja ndaj ish-oficerit të Antiterrorit u zbulua pas hetimeve të SPAK, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Breshias në Itali, në kuadër të një operacioni kundër një organizate kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Gjatë këtij operacioni u lëshuan 24 urdhër-arreste, mes tyre edhe ai ndaj Haxhiajt.
Sipas dosjes hetimore, komunikimet e zbardhura nga platforma e enkriptuar Sky ECC tregojnë se Haxhiaj u siguronte grupeve kriminale informacione sekrete hetimore dhe kishte komunikime me persona të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Në disa prej bisedave, ai diskuton për blerje, shitje dhe transport të drogës, ndërsa në një komunikim përmendet një lloj lënde narkotike “100% colo, origjinale”, që ndodhej në Roterdam.
Vendimi i GJKKO vulos një nga rastet më të rënda të implikimit të një efektivi të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar, përmes nxjerrjes së sekreteve hetimore dhe komunikimeve me rrjetet e narkotrafikut.