Skip to content
Kryesore

Shfaqet sëmundja e Brucelozës në Dibër, izolohen dy familje

· 1 min lexim

Pas rasteve të murtajës, në Dibër është shfaqur edhe sëmundja infektive e Brucelozës. Dy familje nga njësitë administrative Kastriot dhe Muhurr janë izoluar, pasi u konstatua prania e bakterit Brucella.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, deklaroi se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për alarm.

Sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë izolimin e familjeve dhe asgjësimin e kafshëve shtëpiake të infektuara me bakterin Brucella.

Gjithashtu janë kryer analizat për të gjithë anëtarët e familjeve dhe për çdo person që ka pasur kontakte me ta, ndërsa trajtimi mjekësor ka nisur menjëherë.

“Rastet janë të izoluara, por i bëjmë apel komunitetit të jetë i kujdesshëm dhe të mos injorojë shenjat e para të sëmundjes”, tha prefekti Shehu.

Bruceloza është një sëmundje ngjitëse që transmetohet përmes konsumimit të produkteve shtazore të papërpunuara si qumështi i papasterizuar apo mishi i papjekur, si dhe nga kontakti i drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara.

Simptomat përfshijnë ethe, të dridhura, djersitje me erë të rëndë, lodhje të përgjithshme, humbje oreksi, dhimbje muskujsh e kyçesh, dhimbje koke dhe shqetësime në tretje si diarre ose kapsllëk.