Skip to content
Rajoni & Bota

Shembet ndërtesa në Torino, humb jetën një 4-vjeçar shqiptar, ende të tjerë nën rrënoja

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Torino të Italisë.

Sipas mediave të huaja bëhet me dije se përtej Adriatikut, një ndërtesë është shembur në qytetin e njohur, e për pasojë ka përfunduar duke lënë të vdekur një 4-vjeçar shqiptar, e të plagosur nënën e tij dhe dy persona të tjerë.

Në brendësi të ndërtesës gjendej një grua 34 vjeçare, me origjinë nga Shqipëria së bashku me fëmijën e saj 4 vjeçar.

E ëma ia ka dalë të shpëtojë e gjallë nga shpërthimi i madh, por Aroni i vogël është ndarë nga jeta.

Shembja ndodhi para orës 9 të mëngjesit dhe zhurma u dëgjua deri në rrethin Madonna di Campagna, shpërthim i cili erdhi si pasojë e një rrjedhje gazi. Ndërtesa kishte 6 apartamente dhe në të strehoheshin familje me origjinë shqiptare dhe rumune.

Rreth orës 10.30 një burrë u identifikua gjithashtu nën rrënoja dhe së fundmi është transportuar në spital, por gjendja e tij duket e qëndrueshme.

Dy djem të tjerë u shpëtuan jashtë ndërtesës dhe një 22-vjeçar, i cili jetonte në katin e dytë, pësoi djegie të rënda në 50% të trupit dhe është shtruar në spital.

Operacionet e kërkimit-shpëtimit përfunduan në orën 1.30 pasdite, ndërsa masat e bonifikimit dhe sigurisë vazhdojnë. Dyshohet se ndodhen edhe 2 persona të tjerë. Ata janë në gjendje t’i dëgjojnë zërat e tyre.

Shërbimet e emergjencës e forcat e zjarrfikëses kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë bërë të mundur dërgimin e personave të shpëtuar në spital nga ku po marrin dhe trajtim të specializuar mjekësor. Sipas raportimeve, 2 prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Sipas informacioneve të marra deri më tani, mendohet se shkaku i shembjes së ndërtesës ishte shpërthimi i bombolës së gazit.