Shehaj rrëmbeu dokumentin konfidencial të marrëveshjes me SHBA, PS kërkon 60 ditë përjashtim dhe kallëzim në SPAK

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e deputetit Agron Shehaj nga pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisione parlamentare për një periudhë 60 ditore, si edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur sot në ambientet e Kuvendit lidhur me një dokument konfidencial të marrëveshjes së huas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si edhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Sipas Partisë Socialiste, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe SHBA, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët ishin njoftuar se dokumentacioni përmbante informacion të klasifikuar. Për këtë arsye, materiali mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi dhe vetëm pasi deputetët të nënshkruanin deklaratën e konfidencialitetit.
Në shkresë thuhet se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku ndodhej dokumenti, ka kërkuar ta marrë me vete kopjen fizike, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Sipas pretendimeve të PS, deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”. Gjithashtu, në dokument thuhet se një këshilltare e Kuvendit, e cila e ka ndjekur për të rimarrë materialin, është rrëzuar në shkallë dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar nga socialistët.
Përveç masës disiplinore, Partia Socialiste kërkon që rasti t’i referohet edhe SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkeljen e dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.