Skip to content
Rajoni & Bota

Sekuestrohen mbi 1 tonë kokainë në Malin e Zi, ja ku ishte fshehur lënda narkotike

· 2 min lexim

Një sasi rekord prej 1 tonë  kokaine është kapur nga autoritetet në Malin e Zi, e cila ishte fshehur në një kontejner me banane. Mësohet se kokaina është sekuestruar në portin e Tivarit.

Në prangat e policisë vendase kanë rënë dy persona, po ashtu mediat raportojnë se kokaina ishte fshehur në një kamion me banane që vinte nga vendet e Amerikës Latine.

Mësohet se fillimisht kamioni është lënë i lirë dhe është ndjekur nga agjentët në mënyrë që të kuptohej se ku do të shkonte droga. Kamioni me targa PG-353GA, ka nisur udhëtimin dhe sapo ka shkuar në destinacion kanë ndërhyrë forcat speciale. Në pranga kanë rënë dy persona, Marijana K. dhe Buda K ., dhe të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.

Gjithashtu mediat malazeze raportojnë se njoftimi kishte ardhur nga ndërkombëtarët lidhur me kamionin me kokainë që do zbarkonte në portin e Tivarit. Kontrabandistët hynë në kurth dhe e çuan drogën në një magazinë në fshatin Mojanovići në Zeta, ku u konfiskua.

Po ashtu policia në një njoftim zyrtar ka thënë se në aksionin e koduar “187”, policia, në bashkëpunim me Administratën e të Ardhurave dhe Doganave, kapën 1,205 pako kokainë në Mojanovići, në Zeta, me një peshë totale mbi një ton.

“Droga u gjet në një ngarkesë me banane. Dy persona u privuan nga liria,” deklaroi Drejtoria e Policisë në Twitter.