Skip to content
Kryesore

Seanca për Safet Gjicin shtyhet për shkak të mangësive në ekspertizë

· 1 min lexim

Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan, këtë të hënë u mbajt një seancë për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.

Megjithatë, seanca u shty për më 31 janar 2025, ora 10:00, për shkak të përgjigjeve të paplota nga ekspertët mjekoligjorë.

Ekspertiza mjekoligjore, e dorëzuar përmes postës, nuk përmbante një përgjigje të qartë për pyetjen mbi terapinë e përshtatshme për kërkuesin dhe mundësinë e trajtimit të tij në ambientet aktuale. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi plotësimin e aktit.

Vetë Gjici nuk ishte i pranishëm në sallë, por përfaqësohej nga avokati i tij, Markeljan Jança.

Nga ana tjetër, prokuroria ishte përfaqësuar nga prokurori Ledian Tema.

Gjykata gjithashtu kërkoi nga Shërbimi i Provës të hartojë një plan të detajuar për qëndrimin e Gjicit në shtëpi, me një afat dorëzimi prej dy javësh.

Seanca e ardhshme u caktua për fundin e janarit, për t’i dhënë kohë ekspertëve dhe Shërbimit të Provës që të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.