Skip to content
Aktualitet

Sanksione ndaj personave që destabilizojnë rajonin, ambasada amerikane sqaron urdhrin e Biden për Shqipërinë

· 2 min lexim

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka reaguar lidhur me Urdhërin Ekzekutiv që është miratuar ditën e djeshme nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ndër të tjera autorizohen sanksione ndaj personave të përfshirë në aktivitete destablizuese, korruptive dhe anti-demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Ambasada amerikane thekson se urdhri është në përputhje me punën që Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike.  Gjithashtu SHBA-të e konsiderojnë një mjet jetik  drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta.

Mesazhi i plotë i Ambasadës së SHBA

Presidenti Joe Biden miratoi një Urdhër Ekzekutiv (E.O.) të ri dje, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cenojnë proceset demokratike; dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera. Një referencë e qartë për Shqipërinë bën të qartë se Urdhëri Ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike. Urdhëri Ekzekutiv i djeshëm është një mjet jetik drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët.