Rregullorja që kufizon mediat në GJKKO, edhe OSBE nis verifikimet: Po analizojmë pasojat

Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila vendos kufizime të forta për mediat në mbulimin e proceseve gjyqësore, ka tërhequr edhe vëmendjen e OSBE-së. Organizata, që ka një përfaqësues të posaçëm për Lirinë e Medias, konfirmon se po e ndjek nga afër çështjen dhe po analizon ndikimin që mund të sjellë.
Prania e OSBE-së në Shqipëri tha për Report TV se po vlerëson nëse dhe në çfarë mase rregullorja e miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prek garancitë për një gjykim të drejtë, transparencën e proceseve gjyqësore dhe aksesin e mediave.
Sipas OSBE-së, do të shqyrtohet gjithashtu nëse akti i hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erion Bani, është në përputhje me legjislacionin shqiptar, angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare.
Rregullorja vendos kufizime që, në praktikë, e bëjnë shumë të vështirë mbulimin mediatik të seancave gjyqësore. Publiciteti i seancave, nga një parim bazë, kthehet në përjashtim, ndërsa prania e kamerave kufizohet ndjeshëm.
Po ashtu, gazetarët duhet të kërkojnë leje për të ndjekur çdo seancë dhe nuk lejohen të përdorin telefonat celularë, duke u pamundësuar raportimin dhe transmetimin në kohë reale të zhvillimeve nga salla e gjyqit.