Skip to content
Kryesore

Rregullorja e re e GJKKO-së sjell reagim edhe nga avokatët, Haxhia: Pa bazë ligjore, do propozoj bojkot

· 2 min lexim

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po përballet me kundërshtime edhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë. Kryetari i saj, Maksim Haxhia, e cilëson dokumentin të hartuar pa transparencë dhe pa bazë ligjore, ndërsa paralajmëron se do t’u propozojë strukturave të Dhomës bojkotimin e seancave në GJKKO.

Në një reagim për Report TV, Haxhia shprehet se rregullorja, e cila hyn në fuqi më 1 shtator dhe është hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erion Bani, vendos kufizime jo vetëm për gazetarët, por edhe për avokatët në ushtrimin e mbrojtjes së klientëve të tyre.

Sipas tij, dokumenti është publikuar pa transparencë, në kulmin e pushimeve verore, kur institucionet dhe strukturat e Dhomës së Avokatisë janë praktikisht jashtë funksionit. Edhe pse rregullorja është miratuar më 17 korrik, publikimi i saj u bë i ditur vetëm më 31 korrik.

Një nga pikat që Haxhia kundërshton më fort është ndalimi i përdorimit të telefonit celular gjatë seancave gjyqësore, masë që prek edhe avokatët.

“Telefoni është mjet pune, është një studio ligjore lëvizëse për një avokat”, deklaron ai për Report TV.

Kreu i Dhomës së Avokatisë argumenton se rregullorja nuk mbështetet në ligj, pasi, sipas tij, rregullimi i çështjeve të tilla është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe jo e drejtuesit të GJKKO-së. Ai shton se kjo, sipas tij, është vazhdim i një qasjeje denigruese ndaj avokatëve.

Haxhia bën të ditur se në ditët e para të shtatorit do të kërkojë mbledhjen e strukturave të Dhomës së Avokatisë për të shqyrtuar rregulloren dhe për të miratuar një qëndrim institucional.

“Qëndrimi im personal do të jetë i patolerueshëm. Unë do të propozoj bojkot, sepse kjo situatë nuk mund të lejohet të vijojë më kështu. Ka mbetur vetëm që ta heqin fare avokatinë”, përfundon ai.