Rikthehet malaria në Shqipëri, konfirmohet rasti i parë, dyshohet një i dytë

Një rast me malarie është konfirmuar në Shqipëri, ndërsa autoritetet shëndetësore po verifikojnë edhe një rast tjetër të dyshuar.
Pacienti i diagnostikuar është një shtetas i huaj, i cili aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive, nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin e nevojshëm. Për rastin e dytë të dyshuar ende nuk ka konfirmim zyrtar.
Konfirmimi i rastit ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk ka transmetim endemik në Shqipëri. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e evidentuara ndër vite kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në vende ku sëmundja është e përhapur.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe shfaqet me temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe simptoma të tjera. Në mungesë të trajtimit në kohë, ajo mund të shkaktojë komplikacione serioze, deri në rrezik për jetën.