Rikthehet koncesioni i markimit të karburanteve, tarifa e re do t’u faturohet qytetarëve në çdo litër naftë

Teksa shqiptarët vijojnë të paguajnë ndër çmimet më të larta të karburanteve në Europë dhe më gjerë, qeveria ka vendosur të rikthejë skemën e markimit të karburanteve, këtë herë përmes një partneriteti publiko-privat me emër tjetër, por me të njëjtin mekanizëm që ngarkon me kosto shtesë tregun dhe, në fund, konsumatorin.
Me një vendim të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është vendosur që çdo litër naftë i prodhuar ose i hedhur në treg të shënjohet me një marker të posaçëm, i cili do të ofrohet në mënyrë ekskluzive nga shoqëria publiko-private ALBTrace CO.
Për këtë shërbim, subjektet që tregtojnë ose prodhojnë karburante do të paguajnë një tarifë prej 6.5 euro, pa TVSH, për çdo 1 mijë litra të shënjuara, kosto që pritet të reflektohet në çmimin final që paguajnë qytetarët në pikat e karburantit.
Në vendimin e qeverisë, të propozuar nga ministri i Financave Petrit Malaj, thuhet:
“Tarifa kombëtare e shërbimit të shënjimit, që do t’i paguhet shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a., nga subjektet e detyruara dhe do të jetë në shumën prej 6.5 (gjashtë pikë pesë) euro pa TVSH, për 1 000 (një mijë) litra të shënjuara.”
Vendimi ngre pikëpyetje edhe për faktin se tarifa është përcaktuar në euro dhe jo në lekë, megjithëse bëhet fjalë për një detyrim të vendosur me akt normativ shqiptar dhe të propozuar nga Ministria e Financave.
Përtej kësaj, efekti kryesor mbetet rritja e kostos së karburanteve. Çdo tarifë e re e vendosur mbi tregtarët pritet të transferohet tek konsumatori, duke rënduar edhe më tej barrën mbi qytetarët.
Shoqëria ALBTrace CO është krijuar si partneritet publiko-privat, ku shteti shqiptar zotëron 51% të aksioneve, ndërsa 49% i përket kompanisë O & S Security and Solutions.
Kjo kompani private është me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe zotërohet nga Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kompania zvicerane SICPA, e njohur në Shqipëri si ish-koncesionarja e pullave fiskale.
Për këtë arsye, skema e re është konsideruar nga shumë si një rikthim i koncesionit të markimit të karburanteve përmes një strukture të re dhe me aktorë të ndryshëm, por me të njëjtën filozofi të delegimit të një shërbimi monopol tek një subjekt i vetëm.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sistemi i ri i shënjimit synon të luftojë kontrabandën dhe evazionin fiskal në sektorin e karburanteve. Megjithatë, argumenti rikthen në vëmendje edhe përvojën e koncesionit të mëparshëm të markimit, i cili u prezantua me të njëjtin objektiv, por nuk solli përmirësim të ndjeshëm në mbledhjen e akcizës.
Sipas Ramës, modeli i ri do të jetë më efikas se ai i dhënë nga qeveria e kaluar. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kjo skemë do të arrijë rezultatet e premtuara, apo në praktikë do të përkthehet thjesht në një tjetër kosto që do të paguhet nga qytetarët shqiptarë sa herë furnizojnë automjetet e tyre me karburant.