Skip to content
Të Gjitha

Rëndohen xhepat e beratasve, Ujësjellësi rrit çmimet

· 2 min lexim

Pas Tiranës dhe Durrësit, çmimi i ujit do të rritet edhe për Beratin e Kuçën.

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar kërkesën e “Ujësjellës kanalizime Berat-Kuçovë”, për rritjen e çmimit për abonentët familjarë.

Ndërsa për klientët publikë dhe privatë, çmimi nuk do të ndryshojë, shkruan ‘Porta Vendore”.

Aktualisht banorët e Beratit dhe Kuçovës paguajnë 48 lek/metër kub për furnizimin me ujë dhe 13 lek/ metër kub për largimin e ujrave të ndotur.

Me tarifat e reja, furnizimi me ujë do të bëhet 50 lek/ metër kub dhe largimi i ujrave të ndotur 14 lek/ metër kub.

Për klientët publikë dhe privatë, tarifat do të jenë 130 lek/metër kub për furnizimin me ujë dhe 22 lekë/metër kub për kanalizime.

Ujësjellësi Berat-Kuçovë është i gjashti në rang vendi për tarifat, pas Tiranës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Lezhës.

Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve nëpërmjet rritjes së tarifave, synon të arrijë kushtet e kualifikimit për të përfituar nga investimet e ardhshme, ku do të kërkohet që mesatarja e furnizimit me ujë të jetë 8 orë në ditë dhe për zonat e investuara 24 orë.

Gjithashtu do të kërkohet përmirësim i cilësisë së shërbimit për zonat rurale dhe rritje e kohëzgjatjes së furnizimit me ujë, i cili aktualisht është 4 orë.