Skip to content
Kryesore

Ra nga çatia e kishës në Korçë, ndërron jetë në spital prifti Kristaq Viso

· 2 min lexim

Pas gati dy javësh në spital, ka ndërruar jetë prifti Kristaq Viso, i cili u rrëzua nga çatia e Kishës së Shën Triadhës në Korçë më 19 maj.

Prifti Kristaq Viso shërbente në kishën e Shën Thomait në fshatin Çiflig, por ishte nisur për të ndihmuar në riparimin e çatisë së Kishës së Shën Triadhës në Korçë, kur ra aksidentalisht nga një lartësi, duke marrë dëmtime serioze trupore.

Ai u transportua për trajtim të specializuar në Tiranë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë më 2 qershor.

Mitropolia e Korçës ka shpërndarë mesazhin e ngushëllimit dhe lutjet për shpirtin e tij, duke e kujtuar si një vëlla të dashur e të paharruar.

Njoftimi i plotë:

“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!

Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllimet e përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve e të afërmve!

I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirtin e tij me shenjtorët, në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve!

Qoftë e lumtur udha në të cilën shkon ti sot, sepse të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell. Parajsë të mbarë, o vëllai ynë i lumtur dhe i përherë kujtuar”, thuhet në njoftim.