Skip to content
Të Gjitha

QSUT / Ngërç në zgjedhjen e shefave të pavijoneve, Ministria e Shëndetësisë bën “fajtore” procedurat

· 2 min lexim

Qendra Spitalore “Nënë Tereza” pas gjithë problematikave të hasura kohëve të fundit, po kalon edhe një tjetër situatë të vështirë.

Është bërë e ditur se shefat e shërbimeve të cilët tashmë duhet të ishin zëvendësuar, mbajnë akoma postin, kundër çdo afati ligjor të paracaktuar dhe kjo sepse  procesi i përzgjedhjes së shefave të rinj është duke kaluar në një ngërç total.

Pikërisht për këtë problem është pyetur edhe vet Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mirëpo kjo e fundit nuk ka një përgjigje të saktë, pasi sipas saj firmat për emrat fitues tashmë janë dhënë nga ministria që ajo drejton dhe si procedurë i kanë kaluar Ministrisë së Arsimit.

Sipas Manastirliut është e gjitha çështje procedurash dhe në momentin e parë që gjithçka të jetë sipas ligjit do të bëhet edhe procedimi.

“Jam për bashkëfirmosje me Ministrinë e Arsimit. Nuk po zgjatet, unë i kam firmosur, është Ministria e Arsimit për të bërë procedurat përkatëse. Secili institucion ndjek procedurat”, tha Manastirliu.

Sipas Ballkanvveb, kreu i Shëndetësisë i është shmangur hapur pyetjes së gazetarëve në lidhje me mandatin e profesor Arben Gjatës që njëherazi është i zgjedhur në dy poste, si rektori i Universitetit të Mjekësisë dhe shef i shërbimit të kirurgjisë, çka përbën konflikt të pastër interesi.

Ndërkohë mësohet se 4 kandidatë për shefa shërbimesh i janë drejtuar gjykatës administrative ku kanë denoncuar pikërisht procesin e përzgjedhjes së fituesve si dhe për të  paditur komisionin që ka përzgjedhur fituesit dhe vetë QSUT.

Bëhet fjalë për shërbimin e endokrinologjisë, shërbimin e kirurgjisë pediatrike shërbimin e dermatologjisë dhe reumatologjisë.
Ligjërisht lista e fituesve duhej të ishte bërë publike prej kohësh, pasi intervistat e kandidateve të përzgjedhur janë mbyllur që në fund të muajit nëntor.

Mesa duket mungesa e transparencës ka sjellë gjithë problematikat e tanishme, ku stërzgjatja e procedurave është duke e dëmtuar më shumë.