Skip to content
Të Gjitha

Qeni antidrogë i bën gjëmën, 50-vjeçari kapet me 11 kg heroinë në Durrës

· 2 min lexim

Ditën e sotme policia kufitare në portin e Durrësit ka sekuestruar 11 kg lëndë narkotike të llojit heroinë.

Droga u gjet në mjetin tip “Opel”, të drejtuar nga shtetasi A.S. gjatë kontrollit në vijën e dytë, me ndihmën e qenit antidrogë.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 25 pako dhe ishte fshehur në gomën rezervë.

Menjëherë policia vuri në pranga drejtuesin e mjetit, i cili është 50 vjeç dhe banon në Zvicër.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Port, Durrës

Policia Kufitare parandalon dhe godet rast të tentativës për trafikim të drogave të forta

Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar Heroinë.

Arrestohet në flagrancë një shtetas.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.

Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.