Protestë në Rrogozhinë kundër reformës territoriale: Nuk duam bashkim me Kavajën

Banorët e Rrogozhinës kanë protestuar këtë të premte kundër ndryshimeve të propozuara në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke kundërshtuar mundësinë e bashkimit të bashkisë së tyre me Kavajën.
Përmes thirrjeve dhe pankartave, qytetarët kanë shprehur kundërshtimin ndaj idesë që Rrogozhina të kalojë nën Bashkinë e Kavajës, duke kërkuar që njësia e tyre vendore të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Banorët i kanë bërë thirrje mazhorancës që të rishikojë propozimin për Rrogozhinën. Sipas tyre, problematikat me të cilat përballet zona nuk zgjidhen përmes “shkrirjes” së bashkisë, por duke garantuar më shumë shërbime konkrete për qytetarët brenda strukturës aktuale administrative.
Protestuesit kërkojnë që zëri i komunitetit të merret parasysh përpara se të miratohen ndryshimet e reja territoriale, ndërsa kundërshtojnë që Rrogozhina të humbasë statusin e saj si bashki dhe të bashkohet me Kavajën.