“Prej 3 vitesh nuk hapim dritaret”/ Plehrat pushtojnë Lagjen 15 në Durrës, banorët bllokojnë kamionët

Banorët e Lagjes 15 në Durrës janë ngritur në protestë paraditen e sotme për situatën e rëndë të krijuar pranë ish-Parkut të Autobusëve, ku prej vitesh grumbullohen mbetjet urbane të qytetit përpara se të transportohen drejt landfillit të Sharrës.
Hapësira në zonën e Spitallës përdoret si pikë grumbullimi ditor për kamionët e plehrave, por për banorët e pallateve përreth ajo është kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje dhe ere të rëndë, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës.
Sipas tyre, ajo që fillimisht ishte menduar si një zgjidhje e përkohshme, vijon prej më shumë se tre vitesh. Ndërkohë, vendi i posaçëm tranzit që banorët thonë se është premtuar nga Bashkia e Durrësit nuk është ndërtuar ende.
Situata ka bërë që banorët të dalin sot në rrugë dhe të bllokojnë për rreth një orë lëvizjen e kamionëve të mbetjeve, duke kërkuar largimin e vendgrumbullimit nga zona e banuar dhe një zgjidhje përfundimtare nga institucionet.
Ata thonë se ankesat e përsëritura pranë Bashkisë nuk kanë sjellë zgjidhje, ndërsa gjatë verës era e mbetjeve arrin deri brenda apartamenteve.
Një prej banorëve deklaroi për mediat se situata prek mbi 300 familje dhe këmbënguli se protesta nuk ka motive politike, por lidhet drejtpërdrejt me kushtet në të cilat po jetojnë familjet e zonës.
“Janë mbi 300 familje që preken. Nuk jemi këtu për arsye politike, për të mos thënë që të gjithë këta që protestojnë këtu janë të gjithë socialistë. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë.
Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, shprehet banori.
Banorët kërkojnë që grumbullimi i mbetjeve të mos vazhdojë më pranë banesave të tyre, ndërsa protesta e sotme rikthen në vëmendje një problem që, sipas tyre, prej tre vitesh vijon pa marrë zgjidhjen e premtuar.