Polonia rekruton numër “rekord” të ushtarëve pas pushtimit rus të Ukrainës

Teksa konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës është intensifikuar me sulme të shumta nga të dyja palët, vendet fqinje janë friksuar nga ndonjë sulm i mundshëm dhe kanë filluar përgatitjet ushtarake për t’i bërë ballë agresionit.
Forcat e armatosura të Polonisë kanë rekrutuar numrin më të madh të ushtarëve që nga viti 2008, pasi pushtimi rus i Ukrainës ka ngjallur interes më të madh për të mbrojtur atdheun.
Polonia rekrutoi më shumë se 13.500 ushtarë profesionistë vitin e kaluar, tha më 28 janar ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Numri është i barabartë me rreth 8 për qind të totalit të forcave të armatosura të Polonisë prej 164.000 trupash.
Polonia, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit, synon të rrisë numrin e forcave të saj të armatosura në 300.000 ushtarë profesionistë gjatë viteve të ardhshme.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Polonia e ka ndihmuar këtë shtet me armatim, duke dërguar edhe rreth 250 tanke.
Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.
Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.
Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel