Petrit Ndoci nuk kthehet nga leja, arratiset nga Burgu i Reçit! Familjarëve u lë shënim: “Po largohem, ju dua shumë”

Një i dënuar që vuante dënimin në Burgun e Reçit nuk është kthyer në institucion pas përfundimit të lejes, duke vënë në lëvizje autoritetet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Bëhet fjalë për Petrit Ndocin, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje. Ai duhej të rikthehej në burg ditën e sotme, rreth orës 12:30, por nuk është paraqitur në institucion pas përfundimit të lejes.
Lidhur me ngjarjen, vëllai i tij ka deklaruar se Ndoci kishte lënë një letër për familjarët përpara se të largohej. Sipas tij, në shënim Ndoci kishte shkruar:
“Po largohem, ju dua shumë.”
Pas moskthimit të të dënuarit në Burgun e Reçit, autoritetet kanë nisur procedurat për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, vijojnë verifikimet për të zbardhur rrethanat e largimit dhe për të përcaktuar vendndodhjen e tij.