Skip to content
Aktualitet

Përplasja e bizneseve me policinë në Lungomare, reagon Meta: Protestat paqësore janë një e drejtë

· 2 min lexim

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me protestat e ndodhura së fundi në bizneset në Lungomaren e Vlorës dhe përplasjet me policinë për orarin e mbylljes.

Në një postim në Facebook Meta shkruan se është duke e ndjekur me vëmendje situatën dhe i bën thirrje autoriteteve që të dëshmojnë përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin.

Meta thotë se protestat paqësore garantohen nga Kushtetuta dhe dhuna e pajustifkuar, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, është e papranueshme dhe e dënueshme. Ai shkruan se dialogu dhe bashkëpunimi ofrojnë mundësi për të arritur një zgjidhje të pranueshme.

Reagimi i plotë:

Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.

Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.

Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqert dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë!