Skip to content
Kryesore

Pas dorëheqjes së Arben Carës, Ervis Gjoshi komandohet në krye të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin

· 2 min lexim

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar sot Ervis Gjoshin si drejtorin e ri të komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Gjoshi merr drejtimin e institucionit pas dorëheqjes së Arben Carës.

Duke prezantuar drejtuesin e ri të komanduar, Lamallari ka vënë në dukje përvojën e tij 18-vjeçare në Policinë e Shtetit, si dhe detyrat drejtuese që ka mbajtur më parë.

“Me një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë, si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë dhe më herët si shef Komisariati në Dibër, ai sjell në këtë detyrë eksperiencën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për një strukturë kaq të rëndësishme. Rishikimi i kuadrit ligjor për MZSH dhe një program kombëtar për parandalimin e zjarrit mbeten prioritet për detyrën që i është besuar”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Punëve të Brendshme thekson gjithashtu se qytetarëve duhet t’u garantohet një shërbim profesional, i mirëorganizuar dhe i gatshëm në çdo kohë për t’iu përgjigjur sfidave komplekse të emergjencave.

“Parandalimi është qëllimi madhor i qeverisë shqiptare dhe ajo çfarë presin më shumë qytetarët shqiptarë”, thekson Lamallari.

Ervis Gjoshi do të ushtrojë detyrën si drejtues i komanduar i MZSH, pas largimit nga drejtimi i institucionit të Arben Carës.