Panik në Palasë, të shtënat nga jahti dhe operacion dyorësh në det: Si u zhvillua minutë pas minute ngjarja misterioze

Një ngjarje e pazakontë u regjistrua mbrëmjen e së dielës në bregdetin e Palasës, ku një sinjalizim për të shtëna me armë zjarri nga një jaht vuri në lëvizje dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit. Operacioni, që zgjati rreth dy orë, përfshiu ndjekje në det dhe kontrolle përgjatë vijës bregdetare, ndërsa vetëm pas mesnate autoritetet dhanë versionin zyrtar të ngjarjes.
Sipas Policisë, rreth orës 21:00 u mor njoftimi se nga një jaht që ndodhej në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Menjëherë pas sinjalizimit, në operacion u angazhuan Policia Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, Stacioni i Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat nisën ndjekjen e mjetit lundrues nga deti dhe toka.
Gjatë mbrëmjes, burime në terren raportuan se jahti kishte tentuar t’u shmangej autoriteteve duke ndryshuar kurs, ndërsa fillimisht ishte drejtuar nga Greqia. Po sipas këtyre informacioneve, mjeti lundrues kishte fikur dritat dhe kishte vijuar lundrimin në errësirë. Gjithashtu u raportua se gjatë operacionit një person ishte hedhur në det dhe ishte kapur më pas nga Policia Kufitare, ndërsa dy persona të tjerë kishin tentuar të largoheshin me gomone drejt bregut, ku u ndaluan nga efektivët. Këto detaje nuk janë konfirmuar në njoftimin e fundit zyrtar të Policisë.
Në reagimin zyrtar të publikuar këtë mëngjes, Policia bëri me dije se jahti u ndalua në det, përballë Himarës, dhe u shoqëruan katër personat që ndodheshin në bord: Bruno Cela, 31 vjeç, Leonard Hasa, 31 vjeç, Afrim Kastrati, 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç.
Pas ndalimit, nën drejtimin e Prokurorisë, u ushtrua kontroll i imtësishëm në jaht dhe ndaj personave të shoqëruar. Sipas Policisë, gjatë kontrolleve nuk u gjet asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor janë marrë deklarimet e personave që ndodheshin në bord, ndërsa janë kryer edhe ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes, me qëllim verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Mbrëmjen e djeshme, burime jozyrtare raportuan se mes personave të shoqëruar ndodheshin ish-punonjësi i Policisë dhe pronari i kompanisë “Globus Travel”, Astrit Gjonpalaj, si edhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan. Megjithatë, në njoftimin zyrtar të Policisë emrat e personave të shoqëruar rezultojnë të jenë të ndryshëm, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë shpjegime për këtë mospërputhje.
Për momentin mbeten ende të paqarta rrethanat e ngjarjes. Nuk dihet nëse është qëlluar realisht me armë zjarri, kush ka kryer qitjen dhe cili ka qenë motivi. Policia dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë hetimet, ndërsa priten rezultatet e ekspertimeve që do të hedhin më shumë dritë mbi atë që ndodhi në det, përballë Palasës, mbrëmjen e së dielës.