Obeziteti po u shkurton jetën të rinjve! Studimi: Dyfishohet rreziku për të vdekur para 55 vjeç, alarm kequshqyerja

Një studim afatgjatë i ekspertëve danezë sjell të dhëna shqetësuese për pasojat e obezitetit që në moshë të re. Meshkujt obezë në të njëzetat kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin para moshës 55-vjeçare, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre me peshë normale.
Hulumtimi tregon se çdo pikë shtesë në indeksin e masës trupore (BMI) shoqërohet me rritje të rrezikut për infarkt, tension të lartë të gjakut, tromboza dhe diabet. Mbipesha dhe obeziteti lidhen gjithashtu me një rrezik më të lartë për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.
Studimi ndoqi për rreth 33 vjet 6,500 burra danezë, të cilët në fillim të hulumtimit ishin 22 vjeç. Rreth 1.5% e tyre, ose 97 persona, ishin obezë, me një BMI 30 ose më të lartë.
Deri në moshën 55-vjeçare, pothuajse gjysma e pjesëmarrësve që ishin mbipeshë u diagnostikuan me diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare ose tension të lartë të gjakut. Gjatë periudhës së ndjekjes, disa pësuan infarkt ose hemorragji cerebrale, të tjerë zhvilluan tromboza në këmbë ose mushkëri, ndërsa disa humbën jetën.
Shifrat tregojnë se çdo pikë shtesë në BMI lidhej me një rritje prej 5% të rrezikut për infarkt. Rreziku për tension të lartë të gjakut dhe tromboza rritej me 10%, ndërsa ai për diabet me 20%.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te zemra dhe diabeti. Mbipesha dhe obeziteti mund të shoqërohen edhe me çrregullime të sistemit gastrointestinal, probleme ortopedike, dhimbje kronike të kokës dhe depresion, si dhe me rrezik më të lartë për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.