Skip to content
Bota

Nuk i ndalonte lemza, presidenti brazilian del nga spitali: Të hënën kthehem në punë

· 2 min lexim

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro u largua të dielën nga spitali i Sao Paulo ku ai kishte qenë për katër ditë duke iu nënshtruar trajtimit pasi pati disa komplikacione që erdhën si pasojë e një goditjeje me thikë në vitin 2018.

“Unë do të kthehem në presidencë nesër. Unë kisha për t’iu nënshtruar një diete, bëra atë që duhej bërë … Doja të largohesha nga dita e parë, por ata nuk më lanë. Shpresoj që për 10 ditë të ha brinjë në Barbecue, të ha çdo gjë”, i tha Bolsonaro medias ndërsa u largua nga spitali Vila Nova Star, ku kishte qenë që nga e mërkura

Spitali tha në një deklaratë të mëparshme se Bolsonaro do të mbetet nën vëzhgim. Ekipi i tij mjekësor gjithashtu e këshilloi atë të bënte një dietë, por Bolsonaro tha që ai mund të mos e respektojë.

“Do të përpiqem të ndjek, por nuk jam shembull për askënd kur bëhet fjalë për dietë”,  tha ai.

Presidenti 66-vjeçar u dërgua në spitalin e Sao Paulo për trajtim në lidhje me një zorrë të bllokuar pas sulmeve me thikë të vitit 2018 që ndodhën teksa ishte në një tubim për fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Prej ditësh atij nuk i ndalonte lemza, ndërsa nuk kërkoi operacion nga mjekët.