Skip to content
Aktualitet

Njeriu ‘kyç’ në aferën e inceneratorëve, arrestohet sapo ‘zbarkon’ në Rinas Etleva Kondi

· 3 min lexim

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar Etleva Kondi. Ndaj saj, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” disa javë më parë, teksa dje ra në prangat e policisë. Tashmë pas kësaj pritet që Kondi të dalë para gjykatës për komunikimin e masës së sigurisë. Policia nuk e gjeti Kondin në shtëpi mëngjesin e 29 marsit, kohë kur i doli emri nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas kërkesës së SPAK, pasi burime për Gazeta Reforma bëjnë me dije se ajo kishte  shkuar në shtëpinë e saj në Itali.

Kondi do të japë llogari përpara trupës gjykuese për aferën e inceneratorëve pasi cilësohet si njeriu ‘kyç’ për këtë çështje, pasi ka qenë anëtare e komisionit të inceneratorëve. Kondi akuzohet për “shpërdorim detyre” pasi rezulton se ka qenë pjesë e komisionit për miratimin e licencave të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. GJKKO ka dhënë për të masën e sigurisë “arrest shtëpiak”.

Vlen të theksohet se Kondi ishte pjesë e listës me 9 persona për të cilët SPAK lëshoi urdhër arreste në kuadër të aferës së inceneratorëve. Pas kërkesës nga SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dhënë masat e sigurisë për 9 të akuzuar për aferën e Inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Konkretisht GJKKO ka lëshuar 7 masa sigurie “arrest me burg”, ndërkohë 2 të tjerë janë me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vendimi i GJKKO më 29 mars 2022

Masa e sigurisë “arrest me burg” është lënë:

1- Lefter Koka, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

2- Pëllumb Abeshi, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

3-Azem Shatëri, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

4- Florjan Muçaj, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

5- Erjon Murataj, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

6-Klodian Zoto, i dyshuar: për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

7- Arenc Myrtezani, i dyshuar: për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Ndërkohë në masta “Arrest shtëpie” është dhënë për:

8- Sabina Cenameri, e dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

9- Etleva Kondi e dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

I akuzuar për përvetësimin përmes korrupsionit të 3.7 milionë euro në burg për këtë çështje është ish-ministri i Mjedisit, Lefter koka ndërkohë që janë marrë në pyetje nga SPAK dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi si dhe deputeti socialist, Alqi Bllako.