Skip to content
Të Gjitha

Një vit nën monitorim, Autoriteti i Konkurrencës miraton blerjen me kusht të “ABCom” nga “Vodafone”

· 2 min lexim

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar blerjen me kusht të “Abcom” nga “Vodafone Albania”.

Vendimi është marrë më datë 7 shkurt, por është publikuar vetëm ditën e djeshme në faqen e Autoritetit të Konkurrencës.

Kushtet e zbardhura nga “Monitor”, vijojnë si më poshtë:

  • Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA të mos abuzojë më pozitën e saj dominuese nëpërmjet :
  • Vendosjes në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit dhe detyrimin e orientimit e tyre drejt kostos së shërbimeve,
  • Vendosjes së palëve në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta, e të pafavorshme për konkurrencën,
  • Vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
  • Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK, për ndarjen e llogarive ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, e cila do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.

Autoriteti i Konkurrencës për një periudhë 1-vjeçare do të monitorojë veprimtarinë e shoqërive “Vodafone Albania SHA” dhe “ABCom SHPK”

Gjatë periudhës së monitorimit, dy shoqëritë duhet të njoftojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës të gjitha ndryshimet në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg.

Gjithashtu ofruesit e paketave duhet të deklarojnë çmimin për njësi shërbimi, që këto paketa përmbajnë.

Marrëveshja për shit-blerjen u nënshkrua më 25 tetor 2019.

Me anë të kësaj Marrëveshjeje, Vodafone synon që të hyjë në tregun e shërbimeve fikse, internetit fiks, televizionit me pagesë dhe telefonisë fikse.

Aktualisht këto shërbime në vendin tonë e ofron vetëm “Albtelecom SHA”, i cili tashmë do të ketë një konkurent.

Komisioni i Konkurrencës ka dalë në konkluzionin se transaksioni nuk do të forcojë pozitat e Vodafone, pasi pjesa më e madhe e të ardhruave të kësaj kompanie vjen nga shërbimet e komunikimeve elektronike.

Kjo shit-blerje pritet të ketë impakt kryesisht në tregun e komunikimeve në rrjetet fikse.