Skip to content
Kryesore

Nga kampi Al-Hol në Rinas, riatdhesohen 5 shqiptarë nga Siria

· 2 min lexim

Pesë shtetas shqiptarë, gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit pak pas mesnatës së 26 gushtit, pas përfundimit të operacionit për kthimin e tyre në Shqipëri.

Në pamjet e siguruara shihet momenti kur të riatdhesuarit mbërrijnë në Rinas rreth orës 01:20 të natës. Mes pesë shtetasve ndodhen tre fëmijë, si dhe 79-vjeçarja Hajrie Taushani.

Taushani kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. E moshuara kishte shkuar në Siri për të marrë dhe për t’u kujdesur për nipërit e saj.

Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja kishte mbetur në kampin Al-Hol, ku ka jetuar në kushte të vështira. Gjatë kësaj kohe ajo vijonte të kujdesej për fëmijë të mitur, mes tyre edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se operacioni i riatdhesimit u realizua në koordinim me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare, si dhe me autoritetet e vendeve të tjera të përfshira në proces.

Pas përfundimit të procedurave të mbërritjes në Shqipëri, pesë shtetasit do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Më pas do të nisë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.