Skip to content
Kryesore

Nga 3 shtatori ndalohet importi i mishit nga Brazili në Shqipëri

· 2 min lexim

Shqipëria nuk do të lejojë më importin e mishit nga Brazili duke nisur nga data 3 shtator. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të njoftojë tregtarët dhe të marrë masat për zbatimin e vendimit.

Masa vjen pas qëndrimit unanim të ekspertëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak të përdorimit në Brazil të medikamenteve veterinare që shërbejnë për rritjen e masës muskulore të kafshëve.

Në shkresën që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka përcjellë AKU-së, ku referohen porositë e Bashkimit Evropian, kërkohet marrja e masave të nevojshme për zbatimin e vendimit dhe informimin e operatorëve që importojnë mish nga Brazili.

Vendimi prek një prej vendeve që prej vitesh ka pasur një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregut shqiptar. Që prej vitit 2006 dhe deri më sot, Brazili ka qenë ndër furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me mish viçi, derri dhe pule.

Mishi i importuar nga Brazili ka shërbyer gjithashtu si një burim i rëndësishëm lënde të parë për industrinë e përpunimit të mishit në vend, duke kontribuar në zhvillimin dhe zgjerimin e këtij sektori. Me hyrjen në fuqi të masës më 3 shtator, importuesit dhe industria përpunuese do të duhet të përshtaten me ndalimin e furnizimeve nga tregu brazilian.