Skip to content
Aktualitet

Ndarja nga jeta e Bashkim Finos/ Lulzim Basha mesazh ngushëllimi: Zë i rëndësishëm për stabilitetin politik!

· 2 min lexim

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një mesazhi në “Twitter” ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-kryeministrit Bashkim Fino.

Kryedemokrati shprehet se kontributi i Finos në politikën shqiptare, do të  vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm për stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.

Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm për stabilitetit politik  dhe shoqëror të vendit.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe të gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe!”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kujtojmë se Bashkim Fino ka qenë  Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.

Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.

Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.