Skip to content
Kryesore

“Mund të mos më shohësh më”/ Vrau Lulieta Obzovën dhe veten, dëshmia e vajzës së Allmuçës: U bë vrasës

· 5 min lexim

Detaje të reja dhe dëshmi tronditëse kanë dalë në dritë për ditët e fundit përpara vrasjes së 45-vjeçares Lulieta Obzova në Athinë dhe vetëvrasjes së 50-vjeçarit Altin Allmuça. Të afërmit kanë zbardhur kërcënimet që dyshohet se ai i kishte bërë viktimës, ndërsa janë bërë publike edhe fjalët që Allmuça i tha vajzës së tij pak përpara krimit.

Sipas mediave greke, persona nga rrethi familjar i viktimës dhe autorit kanë folur për ngjarjen, ndërsa një bisedë mes Allmuçës dhe vëllait të 45-vjeçares, disa ditë para krimit, hedh më shumë dritë mbi marrëdhënien e tyre.

Të afërmit e të dyja palëve kanë mbetur të tronditur nga tragjedia. Sipas dëshmive, 50-vjeçari e kishte ndjekur sistematikisht Lulieta Obzovën dhe dyshohet se e kishte kërcënuar edhe me armë.

“Kohët e fundit, kudo që shkonte dhe çfarëdo që bënte, ai e gjente përpara saj”, tha një familjare e viktimës.

Sipas saj, Allmuça dyshohet se i kishte dërguar 45-vjeçares edhe një fotografi ku shfaqej me armë, të shoqëruar me kërcënime.

“Ai i kishte dërguar një foto me një armë në kokë, ku i thoshte: ‘Do të vras veten dhe do të të vras ty’”, tregoi ajo.

Të afërmit i kishin sugjeruar Lulietës që ta denonconte rastin në polici. 45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies me Allmuçën pasi kishte mësuar se ai ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare. Sipas dëshmive, pas ndarjes sjellja e tij dyshohet se u bë gjithnjë e më agresive.

Një mik i afërt i 50-vjeçarit ka treguar se, përpara se të shkonte në banesën e viktimës, Allmuça u takua me vajzën e tij dhe i foli në një mënyrë që e bëri atë të kuptonte se mund të ishte hera e fundit që e shihte.

“Ai takoi vajzën e tij dhe i tha: ‘Të dua shumë. Ti je jeta ime. Por ti më ke lënduar sepse nuk më ke mbështetur. Doja që të ishe pranë meje dhe mund të mos më shohësh më. Do të jetë hera e fundit që më sheh’”, tregoi miku i tij.

Më pas, Allmuça u kthye në shtëpi, zgjoi bashkëshorten dhe i la para, duke i kërkuar të kujdesej për vajzën e tyre.

“Ai u kthye në shtëpi rreth orës katër. Zgjoi gruan, i la disa para dhe i tha të kujdesej për fëmijën”, tregoi ai.

Pak më vonë, 50-vjeçari dyshohet se shkoi pranë pallatit ku jetonte Lulieta Obzova dhe priti derisa ajo të dilte. Sipas raportimeve, ai e befasoi 45-vjeçaren dhe e qëlloi për vdekje.

Një banor i zonës përshkroi momentet menjëherë pas të shtënave.

“Fillimisht dëgjova një britmë gruaje dhe më pas një tjetër të shtënë. Në total ishin katër të shtëna. E katërta u dëgjua shumë fort pranë derës sime. Kur zbrita poshtë, gruaja ishte e shtrirë përmbys dhe fytyra e saj ishte e mbuluar me gjak”, tha ai.

Pas vrasjes së 45-vjeçares, Allmuça i dha fund edhe jetës së tij.

Sipas dëshmive të personave të afërt, Lulieta kishte shprehur më herët frikën nga sjellja e tij dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur, përfshirë edhe ndërrimin e bravave të banesës.

Vajza e 45-vjeçares u ka thënë autoriteteve se ishte në dijeni të marrëdhënies së nënës së saj me Allmuçën dhe se ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes. Sipas saj, e ëma ishte e shqetësuar për sjelljen e 50-vjeçarit, të cilin e përshkruante si tepër xheloz dhe që i shkaktonte vazhdimisht probleme.

“E dija që mamaja ime kishte qenë në një lidhje kohët e fundit. Ajo më kishte thënë se ishte ndarë në fund të shkurtit. Ishte e shqetësuar për sjelljen e këtij burri, sepse ai i shkaktonte vazhdimisht probleme. Më kishte thënë se ishte jashtëzakonisht xheloz”, dëshmoi ajo.

Për tragjedinë ka folur edhe vajza e Altin Allmuçës, e cila tha se është e tronditur nga ajo që bëri babai i saj, ndërsa pranoi se nuk mund të anashkalojë faktin se ai i mori jetën një gruaje.

“Jam e shokuar nga i gjithë ky incident. Nuk mund ta besoj që babai im e bëri këtë. Ai është babai im dhe do të më mungojë. E humba babain tim, por nga ana tjetër nuk mund ta injoroj faktin që ai ka bërë keq, që është bërë vrasës. Ai i mori jetën një gruaje dhe nënës së një vajze të moshës sime”, tha ajo.

“Jam shumë e shqetësuar psikologjikisht për gjithë këtë situatë. Nuk jam përgjegjëse për asgjë dhe simpatizoj dhimbjen e vajzës tjetër. Në thelb, ne jemi viktimat. Do të doja shumë që e gjithë kjo histori të mbaronte këtu, që të qetësoheshim dhe të respektonim dhimbjen tonë, duke vajtuar secili njerëzit që do”, shtoi vajza e Allmuçës.