“Mund të fshihesha në Dubai, por zgjodha Francën se e dua”, Apeli lë në burg Ermal Beqirin

Ermal Beqiri, i kërkuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSH-it, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë. Gjykata e Apelit në Amiens la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, raportoi të martën media franceze “Paris Normandie”.
Gjatë dëshmisë para gjykatës, Beqiri deklaroi se kishte mbërritur në Francë në moshën 16-vjeçare dhe se në këtë vend kishte krijuar atë që e konsideronte familjen e tij të dytë. Ai argumentoi gjithashtu se, pavarësisht mundësisë për të qëndruar në vende të tjera, kishte zgjedhur Francën.
“Po, udhëtoj shumë: Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, qoftë edhe në Dubai, por unë e dua Francën. Edhe pse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, e as më të mirin për taksat”, deklaroi Beqiri.
Ermal Beqiri u arrestua në Francë më 27 korrik, pasi u kap duke fluturuar me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly. Përballë autoriteteve franceze, ai deklaroi se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se, në momentin kur kaloi mbi central, po fliste në telefon me nënën e tij.
Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë për këtë episod, Beqiri u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Megjithatë, ai vijon të mbahet në paraburgim në Francë për shkak të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
SPAK e kërkon biznesmenin në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI. Prokuroria e Posaçme ka njoftuar gjithashtu se u ka kërkuar autoriteteve franceze sekuestrimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale.
Mes pasurive për të cilat është kërkuar sekuestrimi përfshihen llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.
Ndaj Ermal Beqirit janë ngritur akuzat për “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet gjithashtu për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.