Skip to content
Kryesore

Miratoi instalimin e oligopolit, Konkurrenca kërkon përmirësimin e tregut celular

· 2 min lexim

Autoriteti i Konkurrencës po kërkon nga AKEP që të rregullojë tregun e telefonisë celulare duke përcaktuar çmimet, ndërkohë ishte po ky institucion që instaloi oligopolin, duke miratuar blerjen e kompanisë Albtelecom nga grupi hungarez 4iG.

 

“Komisioni Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë AKEP që në kushtet e ndryshimeve strukturore të ndodhura në tregun e telefonisë celulare të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu,” thuhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

 

Komisioni i Konkurrencës përmes këtij vendimi i rekomandon AKEP që që përcaktohen tarifat dhe të përdorë metodologjinë e vendeve të BE duke patur si qëllim parësor çmime të orientuara drejt kostos.

 

Në vendin tonë tregu i telefonisë celulare është në kushtet oligopolit të mirëfilltë me vetëm dy kompani, që janë Vodafone dhe ONE.

 

One ishte ajo që mori kompaninë  e tretë telefonike Albtelecom, një transaksion i cili e vendosi tregun në kushtet e oligopolit të pastër, për të cilin ra dakord edhe Autoriteti i Konkurrencës.

 

Mirëpo, kjo solli pasaoja të menjëherëshme, pasi verën e vitit të kaluar miliona abonentë të ONE janë përballur me përkeqësim të ndjeshëm të shërbimit deri edhe në ndërprerje totale, ndërkohë që shumë qytetarë ankohen edhe për tarifa të rritura.