Skip to content
Politikë

Meta përkujton viktimat e regjimeve totalitare: Nëse harrojmë historinë, tragjeditë përsëriten

· 2 min lexim

Presidenti Ilir Meta përcjell një mesazh në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave nga regjimet totalitare apo autoritare.

Në një postim në rrjetin e tij social në Facebook Meta shkruan se kjo ditë na sjell në vëmendje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Mes të tjerash, Kreu i Shtetit thekson se “Vetë integrimi europian ka në themel aleancën e popujve të lirë kundër diktaturave dhe regjimeve hibride”.

Mesazhi i Metës:

Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit na sjell sot në vëmendje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve e të persekutuarve, të mbijetuar të terrorit, krimeve dhe shtypjes në kampet e vdekjeve dhe internimeve.
Nderimi i kujtimit të tyre duhet të ushqejë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të zhvilluar, mbrojtur dhe respektuar demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.
Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.
Vetë integrimi europian ka në themel aleancën e popujve të lirë kundër diktaturave dhe regjimeve hibride.