Skip to content
Kryesore

Mesazhi i fortë i SHBA nga Tirana: “Një vend që nuk prodhon asgjë, nuk mbron dot popullin dhe interesat e tij”

· 2 min lexim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë një mesazh të fortë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mbi atë që përbën fuqinë reale të një shteti: aftësinë për të prodhuar, kontrolluar kufijtë dhe siguruar burimet jetike.

Në një postim, Ambasada veçoi deklaratën e Rubios gjatë paraqitjes së tij në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku ai diskutoi kërkesën buxhetore të Departamentit të Shtetit për vitin fiskal 2027.

“Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës”, deklaroi Rubio, sipas citimit të shpërndarë nga Ambasada amerikane në Tiranë.

Deklarata lidhet drejtpërdrejt me doktrinën e politikës së jashtme amerikane dhe vendos në qendër interesin kombëtar, sigurinë ekonomike, prodhimin vendas, energjinë, kontrollin e kufijve dhe zvogëlimin e varësisë nga jashtë.

Rubio theksoi se politika e jashtme e SHBA-së duhet të jetë e orientuar para së gjithash nga interesi amerikan dhe se fuqia ekonomike e ushtarake ka vlerë kur përdoret për të mbrojtur qytetarët dhe interesat e vendit.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk është një organizatë bamirëse. Ne nuk jemi këtu për të luajtur rolin e punonjësve socialë. Ne jemi këtu për të fituar. Ne jemi këtu për të fituar në emër të popullit amerikan dhe në emër të interesit kombëtar”, tha ndër të tjera sekretari amerikan i Shtetit.

Edhe pse mesazhi i Rubios i referohet SHBA-së dhe politikës së saj të jashtme, fakti që Ambasada amerikane e ka përcjellë publikisht në Tiranë e sjell atë edhe në vëmendjen e publikut shqiptar.

Në Shqipëri, çështje të tilla si prodhimi vendas, siguria ushqimore dhe energjetike, industria, emigracioni dhe largimi i fuqisë punëtore, si dhe varësia nga importet, kanë qenë prej vitesh pjesë e debatit mbi qëndrueshmërinë ekonomike dhe aftësinë e vendit për t’u përballur me krizat.

Rubio e përmblodhi këtë qasje duke theksuar se politika e jashtme nuk mund të ndahet nga ekonomia, kufijtë dhe energjia, ndërsa SHBA po e riorienton strategjinë e saj rreth asaj që ai e cilësoi si “themelet e vërteta të forcës kombëtare”.