Skip to content
Kryesore

Me makinë të blinduar dhe armë me vete, arrestohet Arben Mhillaj, vëllai i të kërkuarit për vrasjen e çiftit Mujeci

· 2 min lexim

Arben Mhillaj, 41 vjeç, vëllai i Florin Mhillajt, i cili është shpallur në kërkim për ngjarjen ku u vranë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi u kap duke lëvizur me një automjet të blinduar dhe i armatosur.

Arrestimi u krye gjatë operacionit të koduar “Unaza”, të zhvilluar nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Lezhë.

Sipas Policisë, 41-vjeçari u lokalizua në fshatin Torovicë teksa qarkullonte me automjetin e blinduar. Efektivët i bënë shenjë të ndalonte, por Mhillaj nuk iu bind urdhrit dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi. Pas disa minutash ndjekjeje, ai u kap dhe u arrestua në fshatin Malecaj.

Gjatë ndjekjes, 41-vjeçari hodhi në tokë një pistoletë me fishek në fole dhe krehrin e armës me disa fishekë. Policia sekuestroi armën, municionin dhe automjetin e blinduar në cilësinë e provës materiale.

Arben Mhillaj rezulton me precedent të mëparshëm penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Ai është vëllai i Florin Mhillajt, i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në prill të këtij viti në aksin Balldren-Torovicë, ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.