Mashtronin të huajt me skemën “Recovery” në Call Center, tre persona dërgohen për gjykim

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona të akuzuar se mashtronin shtetas të huaj duke u premtuar se do t’u rikthenin paratë e humbura në skema të mëparshme mashtruese të njohura si “Call Center”.
Sipas Prokurorisë, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej në një ambient në zonën e Selitës, ku pas informacioneve operative u kryen kontrolle dhe në zyrë u gjetën disa persona duke punuar në poste të përshtatura si call center.
Nga hetimet rezultoi se shtetasit me iniciale K.S. dhe F.K. rekrutonin punonjësit dhe i trajnonin për mënyrën e funksionimit të skemës. Ata udhëzoheshin të bindnin shtetas të huaj se mund të rikuperonin paratë e humbura më parë, nëpërmjet të ashtuquajturit proces “Recovery”.
Agjentët mblidhnin informacion mbi humbjet financiare të klientëve, mënyrën se si ishin mashtruar dhe kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar më parë. Më pas u caktonin takime me të ashtuquajturit “ekspertë”, ndërsa komunikimet e mëtejshme menaxhoheshin nga K.S. dhe F.K.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka dërguar për gjykim K.S. dhe F.K. për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa E.A. për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, të parashikuara nga nenet 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal.