Mashtrimi përsëritet/ Kumrie Zika dyshohet se grabit edhe një Exchange në Vlorë, zhduket me 5 mijë euro ditën e parë të punës

Një tjetër biznes këmbimi valutor në Vlorë ka rënë pre e një skeme të dyshuar vjedhjeje, ku protagoniste është Kumrie Zika. Sipas denoncimit të bërë në Policinë e Vlorës, ajo dyshohet se ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka e një Exchange-i ku ishte punësuar vetëm një ditë dhe më pas është larguar, pa u kthyer më në vendin e punës.
Pronari i biznesit ka kallëzuar rastin në polici, duke deklaruar se pas marrjes së shumës së parave, punonjësja nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe është zhdukur. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas pronarit, qëllimi është që paratë të kthehen dhe çështja të zgjidhet pa pasoja të mëtejshme, ndaj ai i ka bërë thirrje publike Kumrie Zikës të rikthejë shumën e marrë.
Ky nuk është rasti i parë ku Zika dyshohet për një skemë të tillë. Vetëm pak kohë më parë, ajo u denoncua edhe për një vjedhje në një biznes transfertash parash dhe këmbimi valutor në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”.
Sipas informacionit të siguruar, edhe në këtë rast, gjatë ditës së parë të punës, Zika ka qenë vazhdimisht nën praninë e një punonjësi tjetër. Megjithatë, në një moment kur ai është larguar për vetëm pak sekonda, ajo dyshohet se ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka dhe është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes.
Burime pranë biznesit pretendojnë se kjo metodë është përdorur edhe më parë nga e njëjta person, në të paktën tre ose katër raste të tjera, ku shumat e marra kanë qenë më të vogla. Për këto pretendime pritet që autoritetet të kryejnë verifikimet përkatëse.