Skip to content
Kryesore

“Mafia shqiptare ka mbërthyer Anglinë”/ Daily Mail: 450 shtëpi bari, dokumente false dhe “pastrues” gjurmësh

· 4 min lexim

Një investigim gjashtëmujor i Daily Mail pretendon se ka zbuluar përmasat e një industrie të gjerë të kultivimit të kanabisit nga grupe kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tabloidit britanik, janë identifikuar të paktën 450 ferma kanabisi të drejtuara nga shqiptarë, ndërsa shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Hetimi bazohet në të dhëna të policisë, vendime gjykatash dhe raportime mediatike të katër viteve të fundit. Daily Mail shkruan se mesatarisht dy ferma të reja kanabisi janë bastisur ose zbuluar çdo javë, ndërsa 70% e 620 shqiptarëve të dënuar për punë në këto ambiente rezultonin emigrantë të paligjshëm.

Sipas investigimit, më shumë se dy të tretat e 450 fermave të identifikuara ndodheshin në shtëpi banimi, nga Cornwall deri në Malësitë Skoceze. Por kultivime janë zbuluar edhe në shkolla të braktisura, kampuse universitare, azile, klube nate, kinema, bare, pishina, ish-banka dhe ambiente tregtare të mbyllura.

Daily Mail pretendon se ka depërtuar edhe në industrinë që funksionon në prapaskenë për t’i mbajtur këto ferma në këmbë: nga prodhimi i dokumenteve false për marrjen me qira të pronave, deri te kompani që ofrojnë “pastrimin” e shtëpive pas largimit të kultivuesve.

Një operacion i quajtur UK Papers, sipas gazetës, reklamonte në TikTok dokumente për marrjen me qira të banesave. Oferta përfshinte pasaporta britanike për 1,900 paund, patenta për 80 paund dhe deklarata bankare, fatura e fletëpagesa për 35 paund. Një gazetar i infiltruar i Daily Mail pretendon se bleu për 200 paund një patentë false, deklarata bankare dhe fletëpage nga një person i prezantuar si “Ramiz”.

Në investigim përmenden edhe Sokol dhe Amarildo Rranci, të cilët përdorën dokumente të falsifikuara për të marrë me qira 13 shtëpi në Yorkshire dhe East Midlands, ku prodhohej kanabis me vlerë afro 1 milion paund. Afrim Krasniqi, ndërkohë, u burgos pasi përdori identitet të rremë për të marrë me qira 12 prona në Skoci, të përdorura për prodhimin e kanabisit me vlerë 3.8 milionë paund.

Por skema, sipas Daily Mail, nuk përfundon me prodhimin. Gazeta zbuloi edhe biznese që reklamojnë hapur pastrimin e ish-fermave të kanabisit, duke premtuar eliminimin e gjurmëve të ADN-së dhe shenjave të tjera që mund të çojnë policinë te personat e përfshirë.

Një prej operatorëve, i prezantuar si Tanushi, i tha gazetarit të infiltruar se ekipi i tij mund të pastronte dy shtëpi brenda pesë ditësh, në mënyrë që ADN-ja dhe gjurmët e gishtërinjve të zhdukeshin “pa problem”. I kontaktuar më pas zyrtarisht, ai mohoi se kishte kryer aktivitet të paligjshëm dhe deklaroi: “Më telefonojnë, shkoj, pastroj, lyej”.

Investigimi sjell edhe raste të tjera të bujshme. Redis Shahini, pasi u deportua në vitin 2024 pas një dënimi për një fermë kanabisi në Uells, u kthye ilegalisht në Britani dhe ngriti një tjetër fermë me vlerë 200 mijë paund në Nottingham. Xhoni Leka, i dënuar me 40 muaj burg pasi u kap me një fermë prej 1,300 bimësh, fitoi këtë vit apelin kundër deportimit, pasi gjykata vlerësoi se largimi i tij do të ishte “jashtëzakonisht i ashpër” për vajzën katërvjeçare.

Daily Mail evidenton gjithashtu rrezikun për komunitetet. Sipas të dhënave të cituara në investigim, mes vitit 2019 dhe mesit të vitit 2024 janë regjistruar të paktën 640 zjarre në ferma kanabisi, të lidhura shpesh me ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin elektrik. Tre persona kanë humbur jetën, mes tyre një djalë shtatëvjeçar në Newcastle në vitin 2024.

Vetëm gjatë këtij muaji, sipas gazetës, janë zbuluar ferma të tjera të mëdha në Nottinghamshire, Wiltshire, Birmingham dhe Doncaster, me vlera që arrijnë deri në 5 milionë paund.

Investigimi i Daily Mail e paraqet fenomenin jo më si një seri fermash të izoluara, por si një ekosistem kriminal të organizuar, ku kultivimi i kanabisit lidhet me emigracionin e paligjshëm, dokumentet false, marrjen me qira të pronave, vjedhjen e energjisë dhe shërbime të posaçme për zhdukjen e gjurmëve.