Skip to content
Kryesore

Lushnjë, mbingarkohet urgjenca/ Temperaturat e larta kanë shtuar fluksin e pacientëve

· 1 min lexim

Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin po ndikon ndjeshëm në shëndetin e qytetarëve, sidomos në qarqet me temperatura ekstreme si Lushnja, ku termometri arrin deri në 40°C.

Në spitalin rajonal të qytetit është vërejtur rritje e ndjeshme e fluksit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve të shkaktuara nga i nxehti.

Përveç të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, një numër i konsiderueshëm të rinjsh kanë kërkuar gjithashtu ndihmë në urgjencë.

Shefja e Urgjencës në Lushnjë, Anila Karavaqiri, bën thirrje që qytetarët të paraqiten në spital vetëm në rastet e domosdoshme për të shmangur mbingarkesën e shërbimit.

Ajo thekson gjithashtu se këtë vit janë regjistruar më pak raste pickimesh nga gjarpërinjtë dhe insektet, krahasuar me vitet e kaluara, deri tani vetëm dy persona janë trajtuar për pickime gjarpërinjsh.

Mjekët këshillojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe konsumimin e lëngjeve në sasi të mjaftueshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.