Skip to content
Aktualitet

“Lamtumirë usta”, kryeministri Rama ngushëllon familjen e aktorit Pirro Mani

· 2 min lexim
Sot ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur, Pirro Mani. Aktori ka ndërruar jetë në Amerikë, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e artistit Pirro Mani, duke e quajtur një “usta”.
Postimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama:
“LAMTUMIRË USTA!
Pirro Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore. Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër. U prehtë në paqe dhe ngushëllime familjes”, shkroi kryeministri Rama.

Karriera e Piro Manit – Piro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Mani është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.