Lamtumira e fundit për nënën dhe dy fëmijët që humbën jetën në zjarrin tragjik në Shkodër

Do të përcillen sot për në banesën e fundit nëna dhe dy fëmijët e saj të mitur, të cilët humbën jetën tragjikisht pas zjarrit që përfshiu banesën ku ndodheshin në fshatin Domen të Postribës, në Shkodër.
Viktimat janë Bleona Çelaj, 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj, Amari, 3 vjeç, dhe Anuari, 1 vjeç.
Sipas familjarëve, ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të enjte, më 30 korrik, në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e Domnit. Pritja dhe përcjellja e ngushëllimeve do të zhvillohet te “Shpëtimi” në Golem.
Sipas të afërmve, e reja kishte shkuar së bashku me dy fëmijët në banesën e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, kur papritur shtëpia u përfshi nga flakët.
Banesa ndodhej rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës kryesore dhe, për shkak të terrenit të vështirë, mjeti zjarrfikës nuk mundi të mbërrinte në kohë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, banesa ishte shkrumbuar plotësisht.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie.