Skip to content
Kosovë

Kurti flet për Politico, nga marrdhëniet me Serbinë deri tek qeverisja e vendit

· 2 min lexim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për Politico është shprehur se qeveria e tij ka rritur shpenzimet në fushën e Mbrojtjes. Ai shprehet se ky vendim që është marrë pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb.

Kujtojmë se Kosova ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia dhe do të marrë raketa anti-tank Javelin nga SHBA. NATO dërgoi së fundmi 130 trupa shtesë për të përforcuar misionin e saj në Kosovë.

Kurti gjatë intervistës u shpreh se Serbia është rreshtuar krah Rusisë, duke mos vendosur asnjë sanksion për Rusinë në luftën me Ukrainën.

“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar, padrejtësisht, dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, tha Kurti.

BE-ja goditi Kosovën me masa kufizuese verën e kaluar në përgjigje të një shpërthimi dhune të lidhur me zgjedhjet në Veri.

Kërkesat e BE-së përfshinin themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, një plan që daton që nga viti 2013, së bashku me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Kurti tha për Politico se qeveria e tij është e përkushtuar që së shpejti të mbajë zgjedhje të reja në veri.

Ai tha gjithashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO, edhe pse katër anëtarë të aleancës ende nuk e kanë njohur shtetin.