Skip to content
Politikë

Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro, paraqitet në SPAK për shpërdorim detyre

· 2 min lexim

Kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro, është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me akuzat për shpërdorim detyre.

Në dhjetor 2024, SPAK dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e Duros dhe katër personave të tjerë, Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija, Gazmend Malo dhe Vojsava Bregu.

Akuzat lidhen me dhënien në mënyrë të paligjshme të autorizimeve për pikën e karburantit “Genci Petrol”.

Sipas SPAK, shoqëria tregtare “Genci Petrol” ka realizuar përfitime të padrejta nga dhënia e lejes për tregtimin e karburanteve dhe gazit të lëngshëm, duke shkelur ligjin.

Kjo pikë karburanti mori licencën fillestare në gusht 2015 nga administratorja e komanduar e Njësisë Qendër Bilisht, Vojsava Bregu, pa dokumentacionin e kërkuar.

Në qershor 2020, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, Eduard Duro, së bashku me zyrtarët e tjerë të bashkisë, pajisën “Genci Petrol” me një autorizim të ri për operimin në afërsi të Doganës Kapshticë.

SPAK deklaron se, në atë kohë, shoqëria nuk kishte:
• Aktin e kontrollit;
• Lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit;
• Autorizimin për hyrje-dalje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

SPAK vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje dhe përgjegjësinë e të përfshirëve.