Skip to content
Aktualitet

Kritikat e ashpra të Ramës/ Ardi Veliu shkarkon kreun e Policisë së Sarandës, ja kush e zëvendëson

· 2 min lexim

Një ditë pas kritikave të kryeministrit të vendit, Edi Rama kanë nisur lëvizjet e para në Policinë e Shtetit.

Kreu i Përgjithshëm i  Policisë së Shtetit, Ardi Veliu mblodhi sot me urgjencë zv/drejtorë policie edhe shefat e komisariateve. Mësohet se nga mbledhja e sotme është shkarkuar nga detyra shefi i Komisariatit të Sarandës, Syrja Bello dhe në vend të tij është emëruar Klodian Kondin.

Shkarkimi i tij, erdhi menjëherë pas kritikave të kryeministrit Rama për Policinë e Shtetit.

Në mbledhjen që zhvilloi një ditë më parë me përfaqësuesit e Policisë, kryeministri i vendit Edi Rama risolli në vëmendje atentatin e ndodhur në Sarandë, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur biznesmeni Spiro Iljadhi.

Kryeministri e cilësoi si një rast alarmant dhe që duhet të çonte në ndëshkim penal të gjithë zinxhirin e komandës në Sarandë.

Ndër të tjera Rama shtoi më tej në fjalën e tij, se pronarët e këtyre lokaleve që sfidojnë ligjin dhe shtetin i kanë kthyer shefat e komisariateve në tutorë të veprimtarisë së tyre dhe i tërheqin për hunde.

Kujtojmë po ashtu se ndryshime ka pasur edhe në drejtorinë e Korçës, ku vendin e zëvendësdrejtorit Hamdi Fjore, i cili u emërua drejtor në Kukës, e zë Ferdinant Zëre.