“Kosova të respektohet”/ Mediat në Kiev jehonë heqjes së flamurit të Ukrainës në Prishtinë

Heqja e banerit “Free Ukraine” nga qendra e Prishtinës, pas vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në Serbi dhe deklaratës së tij për Kosovën, ka marrë jehonë të gjerë në mediat ukrainase.
“Kyiv Independent”, në një artikull me titull “Kosova duhet të respektohet”, shkruan se reagimi në Kosovë erdhi pasi Zelensky, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Serbi, rikonfirmoi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Media ukrainase nënvizon se kjo deklaratë vjen pavarësisht mbështetjes që Kosova i ka dhënë Ukrainës gjatë luftës kundër Rusisë.
Gjatë qëndrimit në Beograd, Zelensky u pyet nëse Serbia mund të vazhdonte të mbështetej te qëndrimi i Ukrainës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai u përgjigj se politika e Kievit nuk kishte ndryshuar, duke iu referuar respektimit të integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare. Deklarata është pasqyruar gjerësisht edhe nga “European Pravda” dhe “Ukrainska Pravda”.
“The New Voice of Ukraine” veçon faktin se baneri me mbishkrimin “Free Ukraine” kishte qëndruar në qendër të Prishtinës që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi duke deklaruar se “kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet”. Ai theksoi se solidariteti me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe përndjekje do të vazhdojë, por shtoi se respekti duhet të jetë i ndërsjellë.
Mediat ukrainase kanë pasqyruar gjithashtu reagimin e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e cilësoi deklaratën e Zelenskyt “thellësisht zhgënjyese”, duke kujtuar solidaritetin që Kosova ka treguar ndaj popullit ukrainas.