Skip to content
Kryesore

Korçë/ 17-vjeçarja denoncon se mësuesi e preku në pjesët intime gjatë stërvitjes së volejbollit, procedohet penalisht

· 1 min lexim

Një mësues i shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi” në Korçë është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi një 17-vjeçare e denoncoi për ngacmim seksual gjatë stërvitjes së volejbollit në palestrën e shkollës.

Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, kur e mitura, nxënëse e një shkolle të mesme në Korçë, po merrte pjesë në stërvitjen e volejbollit në ambientet e shkollës ku mësuesi ushtron detyrën.

Denoncimi është bërë mbrëmjen e së hënës në komisariat. Gjatë dëshmisë së dhënë në prani të babait dhe psikologes, 17-vjeçarja ka deklaruar se mësuesi me iniciale E.C. e ka prekur në pjesët intime gjatë stërvitjes.

Pas denoncimit, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura brenda palestrës. Hetuesit pritet të kryejnë këqyrjen e pajisjes DVR për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e ngritura nga e mitura.

Mësuesi është shoqëruar në komisariat, ku ka dhënë dëshminë e tij dhe ka mohuar akuzat.

Pas veprimeve paraprake, ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka ndodhur vepra penale e denoncuar nga 17-vjeçarja.