Skip to content
Kryesore

Kërkon lirimin me kusht/ Sot seancë në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin

· 1 min lexim

Gjykata e Fierit pritet të shqyrtojë sot kërkesën për lirimin me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Seanca do të fokusohet në paraqitjen e raportit të Shërbimit të Provës, mbi bazën e të cilit gjykata do të vendosë për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Në seancën e mëparshme, u paraqit vlerësimi i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Fierit, i cili sipas mbrojtjes së Salianjit, rezulton pozitiv dhe mbështet lirimin e tij të parakohshëm.

Avokati i tij, Ledio Braho, argumentoi se sjellja e mirë e klientit gjatë qëndrimit në burg përbën bazë të mjaftueshme për përfitimin e masës lehtësuese.

Salianji po vuan një dënim me një vit burgim, pas një vendimi të formës së prerë për akuzën e kallëzimit të rremë në dosjen e njohur si “Babale”.

Ai është arrestuar në tetor të vitit 2023 dhe ka këmbëngulur se dënimi është rezultat i një procesi politik të fabrikuar, duke e konsideruar veten si viktimë të drejtësisë së kontrolluar.