Skip to content
Kryesore

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, mbahet sot seanca për Ilir Metën

· 1 min lexim

Ish-presidenti Ilir Meta do të dalë sot para trupës gjykuese të Apelit të Posaçëm, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e tij për zbutjen e masës së sigurisë.

Kreu i Partisë së Lirisë kërkon të dalë nga burgu, duke kërkuar një masë më të lehtë, pas mbi nëntë muajsh qëndrimi në paraburgim.

Seanca e sotme do të marrë në shqyrtim ankimimin e Metës kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila në tetor të vitit të kaluar e la atë në masën “arrest në burg”.

Përveç kësaj rruge ligjore, Meta ka ndjekur paralelisht edhe linjën kushtetuese, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Lartë të 27 shkurtit 2025, si dhe të shfuqizojë vendimet më të hershme të shkallëve më të ulëta.

Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur nga SPAK për disa akuza të rënda, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.

Në qendër të hetimit janë një seri transaksionesh dhe pasurish që dyshohen si të pajustifikuara dhe të përftuara përmes veprimtarive të paligjshme. Të dy kanë mohuar akuzat dhe i kanë cilësuar ato si të motivuara politikisht.