Skip to content
Kryesore

Kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, GJKKO rrëzon bosin e mikrokredive

· 1 min lexim

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Arben Meskutit për ndryshimin e masës së sigurisë dhe heqjen e sekuestrove mbi pasuritë e tij.

Vendimi, i marrë nga gjyqtari Erjon Bani, vjen në kuadër të hetimeve për skandalin e mikrokredive dhe zhvatjen e qindra qytetarëve, ku Meskuti është njëri nga nëntë të dyshuarit.

I dyshuari kishte kërkuar lirimin nga burgu, duke argumentuar se ka kaluar afati kohor i paraburgimit dhe duke propozuar zëvendësimin e masës me një masë më të lehtë ose me garanci pasurore.

Përveç kësaj, ai kundërshtoi vendimin e sekuestrimit të llogarive bankare, duke argumentuar nevojën për të përmbushur detyrimet familjare dhe interesin e fëmijëve të mitur.

Pas shqyrtimit të pretendimeve dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari Bani i konsideroi kërkesat të pabazuara në prova dhe i rrëzoi ato, duke konfirmuar masën “Arrest në burg” dhe sekuestrimin e pasurive.